Tregti

Më pak lodra se një vit më parë/ Bie importi me 7% gjatë 11-mujorit, Kina zë rreth 84% të peshës

0

Periudha e festave ndikon në importin e produkteve të caktuara dhe sidomos në tregun e lodrave dhe produkteve piroteknike. Tregu i tyre pëson një rritje të konsiderueshme sidomos gjatë muajve nëntor dhe dhjetor. “Scan Intel” ka analizuat të dhënat e Institutit të Statistikave mbi importin e lodrave dhe produkteve piroteknike për muajin nëntor të këtij viti, por edhe ndër vite apo krahasuar me muajin nëntor të viteve të tjera. Por çfarë thonë të dhënat? Si paraqitet tregu i lodrave?

Të dhënat e INSTAT tregojnë se për 11-mujorin e vitit 2023, importet e lodrave arritën në 2.8 miliardë lekë dhe vlera më e lartë e tyre u arrit në muajt tetor dhe nëntor. Në terma absolutë, sa i përket muajit tetor dhe nëntor, themi se u importuan 409 milionë dhe 337 milionë lekë lodra respektivisht. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, importet si në vlerë ashtu edhe në sasi kanë rënë me 7%. Pra po importojmë më pak lodra, dhe ato që importojmë janë më të lira.

Nëse analizojmë të dhënat sipas muajve ndër vite, shohim se nëntori i vitit 2021 ka shënuar vlerën më të lartë të lodrave të importuara që nga janari i vitit 2005, viti i fundit për të cilin INSTAT-i disponon të dhëna. Nga ana tjetër, vlera më e ulët është  është regjistruar në muajin shkurt të vitit 2006.

Referuar grafikut, kurba e importit të lodrave sipas muajve ka luhatje, por që nga viti 2021 vihet re tendenca rënëse. Kjo tendencë mund të jetë edhe rezultat i treguesve demografikë, pra rënies së numrit të lindjeve, duke bërë që të ketë më pak fëmijë dhe rrjedhimisht dhe një ulje të kërkesës për lodra.

‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat për të kuptuar origjinën e lodrave që tregtohen në vendin tonë. Shifrat tregojnë se Kina mbetet shteti kryesor nga i cili importojmë. Vetëm gjatë nëntorit të vitit aktual, pra vitit 2023, 84% e lodrave që kanë hyrë në vend ishin me origjinë nga Kina. Ndërkohë, shifrat tregojnë se 3% e këtyre lodrave ishin nga Italia dhe 2.7% nga Turqia. Nga ana tjetër, tregtimi i lodrave me vendet partnere si Belgjika, Japonia dhe Vietnami ka qenë në nivele shumë të ulëta, pasi më pak se 1% e lodrave importohen nga këto shtete.

Krahas lodrave si mjete ‘Scan Intel’ ka analizuar edhe importet e produkteve piroteknike dhe shkrepset. Të dhënat tregojnë se vlera e tyre e importuar gjatë 11-mujorit të vitit 2023 arrin në 580 milionë lekë. Vlera më e lartë e tyre u arrit në muajin e parë të vitit, pra muajin Janar ku u importuan 114.6 mln lekë produkte piroteknike. Edhe për këtë zë krahasimisht me një vit më parë importet kanë patur prirje rënëse. Specifikisht në muajin nëntor të vitit 2023 u importuan 28 milionë lekë eksplozivë, produkte piroteknike dhe shkrepse ose 74% më pak krahasuar me nëntorin e vitit 2022, ku vlera e importeve për këtë zë ishte 104 milionë lekë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Mjetet për pasagjerë, cili qark kryeson?/ Durrësi ka numrin më të lartë për banorë, Dibra me rritjen më të lartë vjetore

Postimi mëparshëm

“Gara e kuzhinës” si renditet Shqipëria? “TasteAtlas”: E 90-ta në botë, vlerësohemi me 3.9 yje. Italia mban ‘kurorën’

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.