Tregti

“Kriza” në eksportet e tekstileve dhe këpucëve/ Zhvlerësimi i euros dhe rritja e kostove “godasin” sektorin fason

0

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, eksportet kanë përjetuar një tkurrje të ndjeshme. Sipas të dhënave nga INSTAT, gjatë periudhës janar-qershor 2024, vlera e eksporteve të mallrave shënoi një ulje prej 14.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Grupi kryesore që ka kontribuar në këtë ulje është “Tekstile dhe këpucë” me -5.4 pikë përqindje.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për këtë kategori  në mënyrë  që të kuptojë trendet mujore dhe vjetore. Tekstilet dhe këpucët përbëjnë grupin më të rëndësishëm në eksportet totale me një peshë prej 27.8%. Shifrat evidentojnë qartë se ky sektor ka treguar një tendencë rënëse për një periudhë të gjatë kohore.

Në gjysmën e parë të vitit, eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 55.41 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2023, vlera ishte 68.1 miliardë lekë. Pra, brenda një viti, eksportet kanë rënë me 23%.

Nëse analizojmë të dhënat mujore, vëmë re se vlera më e lartë e eksporteve ka qenë në muajt shkurt dhe maj, ku u eksportuan përkatësisht 93.5 miliardë lekë dhe 93.7 miliardë lekë tekstile dhe këpucë. Edhe në vitin 2023, muaji maj shënon kulmin e eksporteve për këtë kategori.

Në vlera nominale, ndryshimet vjetore tregojnë se muaji mars ka shënuar rënien më të forte të  eksporteve të tekstileve dhe këpucëve me 25%, ndjekur nga maji me 24.3%, dhe janari me 18.6%. Ndërsa gjatë muajve shkurt dhe qershor, eksportet kanë rënë me 15%.

Industria e fasonerisë po përballet me sfida të shumta, përfshirë rritjen e kostove dhe zhvlerësimin e euros, që ul të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Gjatë periudhës janar-qershor 2023, një euro u këmbye mesatarisht me 114 lekë, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti, këmbehet me 100.37 lekë, ose gati 12% më pak.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çfarë po ndodh me prodhimin vendas?/ Rritet importi i frutave dhe zarzavateve në 6-mujorin e parë

Postimi mëparshëm

9.2% më shumë punonjës informal në një vit/ Analiza: Rajonet dhe sektorët më të prekur në Shqipëri

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.