Financë

Janari solli €206 mln më shumë në banka/ Ndër rritjet më të larta në një dekadë. Por, në rënie për familjet

0

Depozitat në paranë e gjerë gjatë janarit janë rritur pranë një niveli të ri rekord, në 1.3 trilionë lekë, tregojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë të analizuara nga “Scan Intel”. Sipas këtyre shifrave, gjatë janarit depozitat në sektorin bankar janë rritur me plot 1.85%, krahasuar me muajin paraardhës, pra dhjetorin e vitit të kaluar. Kjo rritje është ndër më të lartat gjatë dekadës së fundit. Vetëm 5 herë të tjera në 10 vitet e fundit ka ndodhur që në një muaj depozitat në paranë e gjerë të rriten me më shumë se 1.85%, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Ndër të tjera, kjo tendencë vjen jo vetëm në një kohë me presione të larta inflacioniste, por edhe në një muaj që karakterizohet nga konsum i ulët, duke qenë se vjen fill pas festave të fundvitit. Por, duket se Janari 2023 e ka thyer këtë tabu, duke sjellë më shumë “kursime”.

Në terma absolutë ndërkohë, gjatë janarit depozitat në paranë e gjerë janë rritur me plot 23.7 miliardë lekë, që e përkthyer në euro është e barabartë me 206 milionë euro. Të dhënat të tjera të publikuara nga Banka e Shqipërisë sa i përket janarit tregojnë se edhe agregatët monetarë janë rritur ndjeshëm gjatë janarit, ndërkohë që ka rënë lehtë paraja jashtë sistemit, çka sinjalizon se tendenca e rritjes së parasë në qarkullim gjatë janarit nuk ka qenë e lokalizuar vetëm në sistemin bankar.

Nga ana tjetër, shifrat tregojnë se tendenca e rritjes së parave në bankë gjatë janarit ka ardhur si për ato në lekë, ashtu edhe për ato në valutë. Në lekë, depozitat në paranë e gjerë prekën shifrën e 556 miliardë lekëve në janar, në rritje me 0.8% krahasuar me dhjetorin. Në valutë ndërkohë, ato flasin për 745 miliardë lekë, në rritje me 2.7% krahasuar me dhjetorin, që është ndjeshëm më e lartë se muajt e fundit.

Por, shifrat tregojnë gjithashtu se, depozitat pa afat në lekë kanë rënë gjatë janarit, dhe sidomos për “sektorët e tjerë rezidentë” sipas klasifikimit të Bankës së Shqipërisë, që përfshin kryesisht ekonomitë familjare, duke sinjalizuar se, në fakt, për familjet janari ka pakësuar paratë në dispozicion. Në valutë tendenca duket pozitive në këtë drejtim, por duhet pasur parasysh edhe ndikimi i ndjeshëm i luhatjeve në kursin e këmbimit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Si e ka ndikuar lufta Shqipërinë? Analiza e “tortës” së importeve, ndryshimi i pozicioneve të Rusisë dhe Ukrainës pas 1 viti

Postimi mëparshëm

A ka prodhuar rezultat fqinjësia e mirë? Tregtia e jashtme me Malin e Zi, rritje modeste e shifrave në një dekadë e gjysëm

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.