ÇmimetEkonomi

Inflacioni thyen rekord të ri, arrin në 8%/ Niveli më i lartë që prej vitit 1998, por “habisin” disa kategori, si qiraja dhe karburantet

0

Norma e inflacionit në vendin tonë ka thyer një rekord të ri, duke u ngjitur në 8% për muajin gusht, që është edhe niveli më i lartë që prej dhjetorit të vitit të largët 1998. Asokohe, norma e inflacionit fiksohej pranë 8.7%. Gushti ka thyer kështu barrierën e vitit 2002, pasi prej muajsh çmimet i ishin afruar rekordit të këtij viti. Mesa duket nga shifrat zyrtare, rritja e çmimeve në kulmin e sezonit turistik ka qenë ndjeshëm e lartë, për të prekur nivelin maksimal të 24 viteve.

Shifrat zyrtare ngë Instituti i Statistikave të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel” tregojnë se, indeksi i çmimeve të konsumit fiksohet pranë 110.1 pikëve gjatë gushtit. Një vit më parë ndërkohë, gjatë gushtit norma e inflacionit fiksohej pranë 2.4%. Sa i përket ndryshimit mujor të çmimeve, shifrat e Instat tregojnë se në gusht ato ishin 0.8% më të larta se muaji korrik.

Në lidhje me grupet që kanë dhënë ndikimin më të madh në këtë normë rekord të inflacionit shifrat tregojnë se kontributin më të madh e kanë dhënë grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,88 pikë përqindje, pra më shumë se gjysmën, pasuar nga grupi “Transporti” me 1,12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ndërkohë kanë kontribuar me 0,62 pikë përqindje, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,35 pikë përqindje, ato të grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,30 pikë përqindje, “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me 0,28 pikë, “Argëtim dhe kulturë” me 0,15 pikë përqindje, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,10 pikë përqindje, “Veshje dhe këpucë” me 0,08 pikë, “Komunikimi” me 0,03 pikë përqindje dhe “Shëndeti” me “Shërbimin arsimor”me 0,02 pikë përqindje secili. Pra, asnjëri prej grupeve nuk ka dhënë një kontribut negativ në normën e inflacionit prej 8% gjatë gushtit të këtij viti.

Tani, le të kalojmë te analiza e grupeve dhe nëngrupeve të caktuara, se si janë rritur çmimet nga vitit 2021 në vitin aktual. Ushqimet në total gjatë gushtit rezultojnë të jenë 14.95% më të shtrenjta se gushti i vitit të kaluar. Ndër to, rritjen më të lartë e regjistrojnë “vajrat dhe yndyrnat”, me 28.77%, ndjekur nga produktet e bulmetit “qumësht, djathtë dhe vezë” me 22.31%, si dhe “bukë dhe drithra” me 20.38%. Edhe ëmbëlsirat regjistrojnë një rritje të konsiderueshme pranë rreth 15.6%, peshku me 13.7%. Frutat me rreth 4.5%, zarzavatet me 8.6% dhe mishi me 11.2% janë grupet dhe nëngrupet ushqimore me rritjen më të ulët të çmimeve në harkun e një viti, ndërkohë që asnjë prej kategorive ushqimore nuk regjistrohet në rënie.

Mes kategorive të tjera ndërkohë shohim sërish atë të “lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike” me një rritje e cila bie në kontrast me përditshmërinë tonë, pasi shohim që kjo kategori, ku përfshihet edhe nafta dhe benzina, të jetë rritur me vetëm 4.9% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ndërkohë që realiteti tregon për një rritje mes 40% dhe 50% të çmimit të hidrokarbureve, sidomos naftës. Edhe në terma mujorë, pra krahasuar me korrikun, rritja shfaqet minimale në shifrat e Instat, pranë vetëm 0.6%. Një tjetër kategori që bie disi ndesh me situatën që na rrethon është edhe ajo e qirave të shtëpive. Sipas Instat, këto të fundit janë vetëm 2% më të larta se një vit më parë, ndërkohë që aktorë të tregut flasin për një rritje dyshifrore.

Nga ana tjetër, transporti rezulton të jetë kategoria me rritjen më të lartë të çmimeve, me plot 19.3%. Pavarësisht kësaj shifre, të dhënat tregojnë se kjo është rritja më e ulët në 5 muajt e fundit, pra që prej muajit mars, paçka se gjatë gushtit çmimi i hidrokarbureve ka prekur nivele mjaft të larta.

Grupe si veshjet kanë pësuar një rritje modeste, prej vetëm 1.9%, së bashku me edukimin, shëndetin dhe komunikimin.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet e prodhimit vendas rriten më shumë se ato të importit/ 20.5% dhe 10.7% më të shtenjta, ndikuar nga energjia dhe industria nxjerrëse

Postimi mëparshëm

Kriza nuk dëmton aftësinë paguese/ Kreditë me probleme bien sërish gjatë korrikut, pranë rekordit historik të 14 viteve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.