ÇmimetEkonomi

Inflacioni nuk po “sprapset”, 7.1% në Shkurt/ Çmime rekord të larta për bulmetin, veshjet, moblimin dhe mirëmbajtjen e shtëpisë

0

Edhe pse tashmë ka kaluar një vit nga nisja e luftës në Ukrainë bashkë me efektet që transmetoi në ekonominë globale, kryesisht sa i përket çmimeve, norma e inflacionit në Shqipëri vijon të jetë e lartë. Shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se, gjatë shkurtit çmimet në vendin tonë janë rritur me plot 7.1% krahasuar me një vit më parë, kur kishte filluar rritja. Në shkurtin e 2022-shit, inflacioni fiksohej pranë 3.9%. Krahasuar me janarin ndërkohë vihet re një zbutje thuajse e papërfillshme e hapit të rritjes së çmimeve, pasi në muajin e parë të vitit norma e inflacionit në vend fiksohej pranë 7.2% sipas metodës kombëtare dhe 7.1% sipas asaj të Eurostat. Pikërisht për arsyen sepse gjatë shkurtit të vitit të kaluar kishte filluar të ndihej rritja e çmimeve, pritej një rënie më e theksuar e normës në shkurtin e këtij viti. Krahasuar me muajin janar të këtij viti ndërkohë, çmimet në shkurt rezultojnë 1.1% më të shtrenjta.

Në normën e inflacionit prej 7.1% gjatë shkurtit ndikimin më të madh e kanë dhënë grupet: “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 4.8 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me 0.59 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.5 pikë përqindje, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante”, me 0.25 pikë përqindje secili, dhe rreth 0.62 pikë përqindje grupet e tjera. Bie në sy fakti se asnjë prej grupeve nuk ka regjistruar impakt negativ në rritjen e çmimeve gjatë shkurtit, çka do të thotë se të gjitha kanë kontribuar në rritjen e çmimeve, krahasuar me shkurtin e kaluar.

Sa i përket ndryshimit të çmimeve sipas grupeve kryesore, vëmë re se, rritjen më të madhe e regjistrojnë “Ushqimet dhe pijet joalkoolike”, me 13.5%, ndjekur nga “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, me 6.9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5.5%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5.1%, “Veshje dhe këpucë” me 4.4%, “Argëtim dhe kulturë” me 3.4%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3.1%, “Shërbimi arsimor” me 2.3%, “Transporti” me 1.7%, “Komunikimi” me 1.2% dhe “Shëndeti” me 1.0%.

Nga shifrat bie në sy se, ndërkohë që norma e përgjithshme e inflacionit ka zbritur mjaft lehtë, me vetëm 0.1 pikë përqindje gjatë shkurtit, inflacioni i ushqimeve është rritur, duke u ngjitur në 14%, që është një nivel edhe më i lartë se janari. Çmimet e nëngrupit “Qumësht, djath dhe vezë” rezultojnë 28% më të larta se shkurti i vitit të kaluar. Kjo normë është më e larta e regjistruar ndonjëherë për këtë nëngrup, madje edhe përtej niveleve të vitit të kaluar, ku inflacioni i përgjithshëm “kapërceu” mbi 8%. Edhe nëngrupet e tjera të ushqimeve, me përjashtim të frutave regjitrojnë inflacion të lartë gjatë shkurtit, në nivele të ngjashme me muajt e krizës.

Sa i përketgrupeve të reja vëmë re se rritja e çmimeve për transportin është zbutur ndjeshëm, pranë 1.7% gjatë shkurtit. Por, duket se rritja e çmimeve është zhvendosur tjetërkund. Grupi “veshje dhe këpucë” regjistron një rekord prej 4.4% të rritjes së çmimeve në shkurt, që është jo vetëm niveli më i lartë që prej krizës, por edhe më i larti ndonjëherë, të paktën që prej vitit 2017-të kur të dhënat janë publike. E njëjta gjë vlen edhe për grupin “mobilim, pajisje dhe mirëmbajtje shtëpie”, me çmimet në shtrenjtim me 6.9%, që është gjithashtu niveli më i lartë jo vetëm që prej krizës së çmimeve, por edhe më i larti ndonjëherë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në Shqipëri, 17 nxënës për çdo një mësues/ Eurostat: Renditemi ndër vendet e para në Europë me raportin më të lartë

Postimi mëparshëm

Si ka ndikuar lufta te çmimet në Shqipëri? Ushqimet, 22.4% më të “kripura”, me bulmetin që sot është 32% më i shtrenjtë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.