EkonomiTregti

Impakti i Iranit në ekonominë shqiptare/ Tregtia dhe turizmi, shifrat tregojnë një peshë të papërfillshme

0

Qeveria shqiptare ka vendosur të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, si pasojë e rezultateve të hetimit mbi sulmein kibernetik të ndodhur pak kohë më parë ndaj faqeve kryesore të administratës. “Scan Intel” ka analizuar marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve për të kuptuar edhe aspektin ekonomik të kësaj “përplasje” mes dy shteteve.

Të dhënat tregojnë se Irani zë një peshë mjaft të vogël në shkëmbimet tregtare me vendin tonë. Në drejtim të importeve, të paktën referuar të dhënave për vitin 2021, shifrat tregojnë se Irani është në vendin e 66-të ndër partnerët tanë tregtarë, duke zënë vetëm 0.08% të totalit në vlerë. Bëhet fjalë për një total prej 621 milionë lekësh importe përgjatë të gjith vitit, ose rreth 5.2 milionë euro. Sa i përket produkteve kryesore të cilat ne importojmë nga Irani, të paktën referuar vitit 2021 si të plotë, gjejmë qelqin dhe plastikën, me një total prej rreth 438 milionë lekësh nga 621 milionë, ose rreth 70.5% të totalit. Sa i përket importeve të qelqit në vendin tonë ndërkohë, Irani është partneri i 5-të më i madh tregtar, pas Italisë, Bullgarisë, Kinës dhe Turqisë. Sa i përket plastikës dhe produkteve të saj, Irani zë një pjesë thuajse të papërfillshme të importeve në vendin tonë. Edhe sa i përket vitit aktual, të paktën referuar 7 muajve të parë, shifrat tregojnë një panoramë të ngjashme me vitin e kaluar, pasi Irani zë vendin e 63-të mes partnerëve tanë tregtarë.

Ndërkohë, nëse kalojmë te eksportet, shohim se rëndësia e Iranit në shkëmbimet tona tregtare është edhe më e parëndësishme. Gjatë vitit 2021 Shqipëria ka eksportuar vetëm 1 milionë lekë produkte drejt Iranit, që përkthehet në rreth 0.0002% të totalit të eksporteve, duke u renditur në vendin e 119-të ndër partnerët tanë tregtarë.

Edhe sa i përket turizmit, të paktën për vitin 2021, shifrat zyrtare flasin për mungesë rëndësie të Iranit, me vetëm 143 hyrje nga shtetas iranianë në 365 ditët e vitit.

Në drejtim të Investimeve të Huaja Direkte, Irani nuk shfaqet aspak në gjeografinë e tyre në vendin tonë.

Pra, në pamje të parë, referuar shifrave, Irani duket të jetë thuajse i parëndësishëm në aspektin ekonomik sa i përket marrëdhënieve me vendin tonë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Lagjet më të ngarkuara dhe më të qeta të Tiranës/ “M.Shyri”, “Tirana e Re” dhe “21 Dhjetori” me dendësinë më të madhe, “Dajti”, “Farka” dhe “Kashari”, më të ultën

Postimi mëparshëm

Çmimet e prodhimit vendas rriten më shumë se ato të importit/ 20.5% dhe 10.7% më të shtenjta, ndikuar nga energjia dhe industria nxjerrëse

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.