Tregti

Harta e re e eksporteve/ Italia krijon “varësi” ndaj produkteve shqiptare, Ukraina në “top 5”

0

Pas analizës që “Scan Intel” ka bërë në lidhje me ecurinë e eksporteve në vendin tonë, këtë herë është ndalur në hartën e eksporteve për të kuptuar se cilët janë partnerët kryesorë dhe ç’ peshë zënë ato ndaj totalit. Sipas të dhënave të INSTAT, Italia përfaqëson thuajse gjysmën e hartës së eksporteve të Shqipërisë gjatë qershorit, saktësisht 42.3% të totalit, ndërkohë që një vit më parë kjo peshë fiksohej në 43.3%. Pjesa më e madhe e eksporteve drejt Italisë janë tekstile dhe këpucë që i përkasin sektorit fason.

Në vendin e dytë renditet Kosova, e cila zë 10.3% të totalit. Kjo e fundit ndiqet nga Greqia dhe Gjermania të cilat përfaqësojnë përkatësisht 6% dhe 3% të totalit të eksporteve të realizuara në vendin tonë gjatë muajit qershor 2024. Ajo që duhet theksuar është se këtë vit listës së partnerëve të shkëmbimit tregtar i është shtuar edhe Ukraina e cila zë 4.9% të totalit. Ndërkohë, shtetet si: Spanja, Maqedonia e Veriut, Kina, Serbia dhe Mali i Zi përbëjnë më pak se 5% të totalit secila.

Por si ka ndryshuar renditja e partnerëve kryesorë tregtarë krahasuar me një vit më parë? Nëse analizojmë shifrat e eksporteve për muajin qershor 2023, vëmë re se renditja mbetet e pandryshuar për Italinë, Kosovën dhe Greqinë të cilat vazhdojnë të pozicionohen në 3 vendet e para me peshën më të lartë të eksporteve. Ndërkohë, vendin e 4-ët dhe të 5-stë e gëzojnë Suedia dhe Spanja që përfaqësojnë afro 9% të totalit së bashku .

Pra, ajo çfarë konstatojmë përmes shifrave është se në qershor 2024, ka ndodhur një rotacion, ku Suedia dhe Spanja zëvëndësohen nga Gjermania dhe Ukraina. Në të kundërt, pesha e eksporteve në vendet e rajonit si Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Mali i Zi mbeten thuajse të papërfillshme krahasimisht me totalin pasi ato zënë minimalisht 1.8% dhe maksimalisht 2.9% të totalit të eksporteve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Qershori “sfidon” prirjet pozitive të sezonit turistik/ Ngadalësohet rritja e hyrjeve nga të huajt

Postimi mëparshëm

Rritet numri i të papunëve afatgjatë/ Me një normë prej 71%, renditemi të dytët në Europë për vitin 2023

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.