ÇmimetEkonomi

Eurostat: Inflacioni arrin 7.7% në gusht/ Nën mesataren e BE-së, por më lart se Zvicra. Transporti dhe ushqimet kryesojnë rritjen

0

Ndërkohë që gjatë muajit gusht inflacioni në Shqipëri arriti në 8% duke thyer kështu një rekord të ri, të dhënat nga “Instituti i Statistikave” sa i përket ndryshimit vjetor të Indeksit të Çmimeve të Konsumit sipas metodologjisë së “EUROSTAT” tregojnë për një normë rritje deri në 7.7%. Ashtu siç e kemi theksuar edhe në publikimet e mëparshme të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, kjo normë më e ulët vjen si pasojë e ndryshimeve metodologjike në matjen e rritjes vjetore të çmimeve dhe peshës që zë secili grup (shiko këtu). Gjithsesi, duhet të theksojmë se matja e Indeksit të Harmionizuar të Çmimeve të konsumit realizohet nga “Instituti i Statistikave”, por referuar metodologjisë së Eurostat për matjen e ndryshimit të çmimeve. Të dhënat tregojnë se Shqipëria vijon të jetë vendi me rritjen më të ulët të çmimeve, krahasuar me vendet e Europës, duke u renditur e gjashta nga fundi. Shifrat flasin për një mesatare të rritjes vjetore të çmimeve në Bashkimin Europian përgjatë muajit gusht me 10.1%. Krahasuar me muajin korrik, mesatarja e rritjes vjetore të çmimeve është rritur me 0.3 pikë përqindje. Vendet Baltike, Estonia dhe Letonia, edhe për muajin gusht vazhdojnë të kryesojnë në listën e shteteve me rritjen më të lartë të çmimeve. Nga ana tjetër, në fund renditen vende si Zvicra, Islanda dhe Franca.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 14,4% vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,5%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,9%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 4,7% secili. Gjithashtu me rritje paraqiten grupet si “Veshje dhe këpucë” me 2,8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,7%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,4%, “Shëndeti” me 1,3%, “Shërbimi arsimor” me 1,2% dhe “Komunikimi” me 0,8%.

Nga ana tjetër nëse do të flisnim për ndryshimin mujor të matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,7%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 4,4%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,6%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje”, me 0,4% secili. Rritje kanë shënuar edhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3%, “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2% secili. Ndërkohë, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” rezultojnë me ulje deri në 0,2%.

NDRYSHIMI VJETOR I IHÇK SIPAS SHTETEVE, GUSHT 2022

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Liria ekonomike, Shqipëria e 26-ta në botë/ Ngjitemi në renditje, por përkeqësohemi në pikëzim. Qëndrueshmëria e monedhës na rendit të katërt

Postimi mëparshëm

Dyfishohen azilkërkuesit në qershor/ Rreth 6 mijë persona aplikuan për azil në 6 muaj, por mbeten më pak se në 2019-ën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.