Çmimet

Energjia rrit çmimet e prodhimit dhe importit/ 21.4% dhe 6.7% më të shtrenjta në T4 2022, krahasuar me një vit më parë

0

Çmimet e prodhimit dhe të importit vijojnë në një tendencë në rritje edhe përgjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar sipas shifrave më të fundit nga “Instituti i Statistikave”. Të dhënat tregojnë për një rritje të indeksit të çmimeve të prodhimit me 21.4% dhe të çmimeve të importit me 6.7%.

Kështu, përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 127.6 pikë. Krahasuar me tremujorin e katërt të 2021-shit, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit ka shënuar një rritje prej 21.4%, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 5.6%. Shifrat tregojnë se grupi i cili ka ndikuar më shumë në rritjen e çmimeve të prodhimit është “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar”. Krahasuar me tremujorin e katërt të 2021-shit ky seksion është rritur me 36.7%. Pasojnë seksionet “Industri nxjerrëse” me 31% dhe “Industri përpunuese” me një rritje rreth 18.2%. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 36.5%, pasuar nga aktivitetet “Prodhimi i produkteve metalikë të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve” me 27.5%, “Prodhimi i kimikateve dhe produkteve kimike” me 26.5%, “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 24.3%, etj. Nga ana tjetër, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Prodhimi i mjeteve të transportit, rimorkiove dhe gjysëmrimorkiove” me 4.4%, pasuar nga aktiviteti “Prodhimi i produkteve optike, elektronikë, kompjuterikë” me 0.1%.

Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e katërt të vitit 2022, arriti 112.4 kundrejt vitit 2020. Krahasuar me tremujorin e katërt 2021, indeksi i çmimeve të importit shënoi një rritje me 6.7%, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 4.9%. Nëse do ta krahasonim me tremujorin e tretë 2022 indeksi regjistron një rritje me 0.8%. Çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” kanë shënuar rritjen më të lartë me 19.4%. Indeksi në seksionin “Industri nxjerrëse” shënoi një rritje me 14.9%, krahasuar me një vit më parë, ndërsa indeksi në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 91.4% shënoi një rritje me 5.9%. Brenda seksionit të industisë përpunuese rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 13.4%, pasuar nga “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 10.8%, “Prodhimi i pijeve” me 10%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kostot në ndërtim rriten me 7%/ Shpenzimet për energji dhe materiale me ndikimin më të lartë

Postimi mëparshëm

Në Shqipëri, 17 nxënës për çdo një mësues/ Eurostat: Renditemi ndër vendet e para në Europë me raportin më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.