Tregti

Efekti i turizmit rriti tregtinë me pakicë/ “Zgjerohet” me 4.9% në tremujorin e parë 2024

0

Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë i llogaritur bazuar në deflatimin e indeksit e shitjeve në vlerë shënoi rritje në vlerë me 4.9% në tremujorin e parë 2024 krahasuar me një vit më parë. Ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur me 1.7%, krahasuar me tremujorin paraardhës, raportoi INSTAT.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar si ka ndryshuar volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë gjatë periudhës janar-mars të vitit aktual. Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë hidrokarburet, volumi i shitjeve në tremujorin e parë 2024 është rritur me 6% krahasuar me një vit më parë.

Nëse analizojmë ndryshimin vjetor në grupet kryesore, vëmë re se rritja më e lartë e volumit të shitjeve i atribuohet grupit “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, me 6.7%, më pas ndjek grupi  “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, ku  volumi i shitjeve është rritur 5.3%. Ndërsa, në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 2.3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023.

Nga ana tjetër, ky ndryshim vjetor në rritje prej 4.9% në volumin e shitjeve ka ardhur si rezultat i kontributit të disa grupeve ku specifikisht grupi “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” ka kontribuar me 2.9 pikë përqindje. Grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” ka kontribuar me 1.6 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” me  0.4 pikë përqindje.

Ndërsa, në terma tremujorë ndryshimet në tregtinë me pakicë sipas grupeve  paraqiten si më poshtë: Në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht është rritur me 1.9%, krahasuar me tremujorin e 4-ët të vitit 2023. Po ashtu, volumi i shitjeve, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur me 3.1%, kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në të kundërt ,në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, konstatohet  një rënie me 0.9% krahasuar me tremujorin paraardhës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Yield-i i bonove 12-mujore “prek fundin”/ Norma mesatare zbret në 3.28%, favorizuese për investitorët

Postimi mëparshëm

Depozitat i rikthehen rritjes pas 4 muajsh/ Zgjerimin më të madh e shënuan kursimet në lekë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.