Çmimet

Çmimet e konsumit, në nivelin më të ulët që nga qershori 2021/ Ushqimet dhe energjia mbajnë peshën kryesore në rritjen e çmimeve

0

Niveli i çmimeve në vend ka vijuar një rënie graduale në muajin shtator, duke u ulur në 1.9%, krahasuar me 2% në gusht dhe 2.1% në korrik, sipas të dhënave të INSTAT. Ky nivel çmimesh është më i ulti që nga muaji qershor i vitit 2021, kur indeksi i çmimit të konsumit vlerësohej në 1.6%.

Sipas të dhënave zyrtare, rritja më e madhe është ndikuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili kontribuoi me 0.94 pikë përqindje në rritjen e përgjithshme. Grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” ndikoi gjithashtu pozitivisht me 0.3 pikë përqindje.

Përveç grupeve kryesore si ushqimi dhe energjia, ndikime pozitive janë konstatuar edhe në grupet si “Mobilje, pajisje shtëpiake me 0.26 pikë përqindje dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.17 pikë përqindje. Në të kundërt, sektori i transportit ka pasur një ulje të lehtë, duke kontribuar negativisht me 0.28 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin Shtator të vitit 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 4.6%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3.6% secili. Rritje po ashtu shënuan grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.5 dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.7%. Ndërkohë, kategoritë si “Mallra dhe shërbime të ndryshme” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” pësuan rritje me 1.9% dhe 1.8% përkatësisht. Nga ana tjetër, për grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” “Shëndeti”, “Shërbimi arsimor” dhe “Komunikimi” rritja varion nga 0.8% në 1.1%.

Çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 4.5%. Në rritjen e grupit të ushqimeve kanë ndikuar “zarzavatet përfshirë patatet” që u rritën me 6.5%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4.6 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.9%, “mish” me 3.4%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3%, etj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa vlerë ka arsimi në Shqipëri? Familjet me arsim të lartë konsumuan 30 mijë lekë në muaj më shumë se ato me arsim 8/9 vjeçar

Postimi mëparshëm

Shqipëria “moderne” ngrohet me energji elektrike/ RCC: Kemi normën më të ulët të përdorimit të drurit në Ballkan

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.