Tregti

Çfarë po ndodh me prodhimin vendas?/ Rritet importi i frutave dhe zarzavateve në 6-mujorin e parë

0

Për të përmbushur nevojat e tregut në rritje, vendi ynë ka zgjeruar ndjeshëm kanalet e importit, siç konfirmohet nga të dhënat zyrtare për tregtinë e jashtme. Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, importet e zarzavateve në volum janë rritur me 43.5%, ndërkohë që  volumi i importeve  të frutave u rrit  me 31.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa në vlerë, importet e zarzavateve për gjysmën  e parë të vitit 2024 arritën në 2.51 mld lekë , ose 0.93 mld lekë më shumë se një vit më parë. Në vlerë nominale kjo rritje përkthehet në 59%.

Nga ana tjetër, edhe vlera e importeve të frutave paraqitet me rritje.  Gjatë periudhës janar-qershor 2023 u eksportuan gjithsej 3.4 mld lekë fruta ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024 u importuan 3.9 mld lekë ose 15% më shumë. Kjo tregon një intensifikim të konsiderueshëm të importeve të frutave dhe zarzavateve  duke sfiduar kështu prodhimin vendas.

Një analizë e të dhënave historike që nga fillimi i këtij viti tregon se sasia më e lartë e importit të zarzavateve u regjistrua në muajt shkurt dhe mars. Në të kundërt, importet e frutave arritën kulmin në mars të këtij viti, një periudhë kur edhe sezoni i prodhimit vendas ka nisur.  Krahas importeve “Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar edhe mbi situatën e eksporteve për këto dy kapituj.

Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit eksportet për frutat dhe arrat e ngrënshme arritën në 1.9 mld lekë.  Ndërsa, po në të njëjtën periudhë u eksportuan 7.8 mld lekë zarzavate ose 4% më pak se në gjashtë mujorin e vitit 2023.

Por çfarë e shtyn vendin tonë drejt prodhimit të jashtëm? Përveç efektit të emigracionit në zonat rurale dhe mungesës së fuqisë punëtore, edhe turizmi po nxit rritjen e kërkesës për produkte ushqimore, duke orientuar vendin tonë drejt tregut të jashtëm për të përmbushur kështu kërkesen e shtuar konsumatore.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Individët dhe bizneset zgjedhin huatë me afat mbi 5 vite/ Fokusi në blerjen e banesave dhe investimet strategjike

Postimi mëparshëm

“Kriza” në eksportet e tekstileve dhe këpucëve/ Zhvlerësimi i euros dhe rritja e kostove “godasin” sektorin fason

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.