Sociale

Blerjet online, Shqipëria në fund të Europës/ EUROSTAT: Vetëm 17% e shqiptarëve blenë mallra dhe shërbime online gjatë vitit 2021

0

Të dhënat nga “Agjencia Europiane e Statistikave” të publikuara në formën e një ankete mbi “Aktivitetet në Internet”, tregojnë se Shqipëria ka përqindjen më të ulët ndër vendet e Europës sa i përket përdorimit të internetit për të blerë apo për të shitur mallra dhe shërbime. Shifrat tregojnë se, gjatë vitit 2021, 17% e popullsisë (16 deri në 74 vjeç) kanë blerë mallra dhe shërbime online, gjatë 12 muajve të fundit, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian llogaritet në rreth 67%. Pavarësisht renditjes negative, shifrat janë pozitive sa i përket tendencës ndër vite. Krahasuar me vitet e tjera kjo përqindje ka ardhur duke u rritur edhe pse në nivele të vogla. Gjatë vitit 2018 vetëm 5% e popullsisë së Shqipërisë blenë ose porositën mallra ose shërbime nëpërmjet internetit, për të ardhur në rritje gjatë vitit 2019-të me 7% dhe me 14% gjatë vitit 2020. Pra nga viti 2020 deri në vitin 2021 përqindja e personave të cilët kanë blerë mallra dhe shërbime online është rritur me 3 pikë. Në përgjithësi në vendet e Europës ka një tendencë të lartë për të përdorur e-commerce, por përqindja më e lartë regjistrohet në vende si Norvegjia, Hollanda, Danimarka dhe Islanda me 92%, 91% dhe 89% . Ndërkohë, në vend të fundit, përveç Shqipërisë, renditen vende si Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina me 26% dhe 30% përkatësisht.

Ndërkohë “Scan Intel” gjithashtu ka analizuar të dhënat e “Agjencisë Europiane të Statistikave” sa i përket përqindjes së personave të cilët shesin mallra dhe shërbime online. Edhe në këtë renditje përsëri Shqipëria renditet në vend të fundit. Vetëm 1% e popullsisë të cilët kanë akses në internet kanë shitur mallra dhe shërbime online gjatë vitit 2021, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 19%. Vendet që kryesojnë edhe në këtë renditje janë Norvegjia me 39%, Hollanda me 43% dhe Malta 35%. Në fund të listës gjejmë vende si Qipro dhe Greqia me 2% dhe 3%.

Por sa % e popullsisë e përdor internetin për t’u informuar rreth mallrave dhe shërbimeve? Në Shqipëri rreth 44%! Në të njejtin nivel me Shqipërinë kemi Rumaninë po me 44%, pasuar nga Bullgaria 46%. Ndër vendet e para me përqindjen më të lartë gjejmë vende si Norvegjia, Islanda dhe Hollanda.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rriten azilantët shqiptarë/ Mbi 7 mijë aplikime në shtatë muaj, Shqipëria kryeson rajonin

Postimi mëparshëm

Shtatori, rekord eksportesh të bulmetit/ Në vetëm 9 muaj janë eksportuar 28.5% më shumë se i gjithë viti 2021

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.