Tregti

Euro vijon të “nënshtrojë” tregtinë e jashtme/ Rreth 8.5% më pak eksporte në Shtator. Italia dhe Kosova “larg” produkteve tona

0

Tendenca e eksporteve duket e njëjtë edhe në muajin Shtator të këtij viti, duke shënuar kështu një rënie prej 8.5%, krahasuar me Shtatorin e një viti më parë. Megjithatë, rënia duket të jetë ngadalësuar nëse e krahasojmë me muajin Gusht kur eksportet binin me 18.2%. Në vlerë absolute eksportet e mallrave arritën vlerën 31 mld lekë. Nga ana tjetër, të dhënat e INSTAT bëjnë me dije se në Shtator jo vetëm kemi shitur më pak, por edhe kemi blerë më pak. Importet e mallrave arritën vlerën 71 mld lekë, duke u ulur me 3.1%, në krahasim me një vit më parë.

Në terma mujorë, pra krahasuar me Gushtin e të njëjtit vit, eksportet u rritën me 36%, ndërsa importet me 3%. Nëse flasim për periudhën nëntëmujore, eksportet e mallrave arritën vlerën 286 mld lekë, duke u ulur me 14.2%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 666 mld lekë, duke u rritur me 2.4%, krahasuar me një vit më parë.

Janë po të njëjtat grupe që kanë ndikuar negativisht në rënien e eksporteve. Nëse analizojmë kontributin e grupeve kryesore për muajin Shtator, por edhe në terma nëntëmujorë shohim se ndikimin më të madh negativ e kanë dhënë grupër “Tekstile dhe këpucë” dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”. Përkatësisht në muajin Shtator kontributi negativ i këtyre grupëve vlerësohet në 5.5 pikë përqindje dhe në 2.1 pikë përqindje. Ndërkohë, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me 0.5 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0.4 pikë përqindje

Nga ana tjetër, në drejtim të importeve, gjatë muajit Shtator 2024, në uljen e tyre negativisht kanë ndikuar grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1.4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 0.9 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 0.6 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0.8 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me 0.5 pikë përqindje. Edhe përgjatë nëntë muajve situata paraqitet e njejtë.

Në muajin Shtator të vitit 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shtatorin e vitit 2023 janë Italia, Kosova dhe Greqia. Ndërkohë, vendi me të cilin eksportet kanë pasur rritje më të madhe është Spanja. Nga fillimi këtij viti dhe deri në muajin Shtator janë po Italia, Kosova dhe Greqia që hoqën dorë nga produktet shqiptare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Familjet shqiptare zotërojnë rreth 28 miliardë euro/ BSH: Pasuritë financiare, gati 8 herë më shumë se detyrimet në vitin 2023

Postimi mëparshëm

Inflacioni i Shtatorit, një vend larg kufirit të BE-së/ Norma e vlerësuar sipas metodës së Eurostat arriti në 2.3%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.