BujqësiTregti

Produktet e bulmetit, rekord absolut importesh në Gusht/ Vlera arriti në rreth 767 milionë lekë, ose rreth 33% më shumë se vjet

0

Përgjatë pesë viteve të fundit duket se sektori i blegtorisë paraqitet në një rënie të qëndrueshme sa i përket numrit të krerëve apo edhe prodhimit blegtoral. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, prodhimi total i qumështit ka pësuar një rënie prej 19.1%, ndërkohë që edhe produkti i mishit ka pasur një trend të ngjashëm. Në harkun kohor të 5 viteve prodhimi i përgjithshëm i mishit ka rënë me 13.6%. Nëse i referohemi vetëm prodhimit të qumështit, konkretisht, në vitin 2023, prodhimi i qumështit ka rënë me 7.17%, krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër, importi i produkteve bulmetore, ku qumështi zë një peshë të konsiderueshme, ka shënuar rekord absolut në muajin gusht të këtij viti. Sipas shifrave, vlera e produkteve bulmetore të importuara në muajin gusht të këtij viti arriti në rreth 767 milionë lekë, ose rreth 33% më shumë se vitin e kaluar.

Kjo vlerë është më e larta që nga muaji Janar i vitit 2005, vit kur fillojnë të dhënat statistikore të INSTAT për këtë tregues. Nëse analizojmë shifrat për periudhën Janar-Gusht të këtij viti shohim se vlera e produkteve bulmetore të importuara arriti në 4.5 miliardë lekë, ose rreth 8% më shumë se në të njejtën periudhë të një viti më parë.

Edhe në volum, pra në sasi, importi i produkteve bulmetore ka arritur një rekord të ri në muajin Gusht të këtij vitit. Shifrat thonë se u importuan në sasi rreth 23% më shumë se vitin e kaluar.

Nuk mund të lemë pa përmendur edhe ndikimin që ka patur turizmi në rritjen e konsumit dhe për pasojë të kërkesës për këtë produkt, por edhe rënia e prodhimit të përmendur më lart ka një peshë të rëndësishme.

Ndërkohë, nga ana tjetër, rënia e prodhimit është ndikuar nga mbyllja e fermave si pasojë e emigracionit, apo edhe kostot e larta si pasojë e mungesës së subvencioneve. Kryesisht konkurrenca rajonale, falë mbështjes së këtij sektori në vendet përkatëse, po e tkurr sektorin e blegtorisë në vendin tonë.

Italia, Gjermania, Hungaria, Greqia dhe Serbia janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë në drejtim të importit të produkteve të bulmetit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Cilat ndërmarrje shesin më shumë produkte online? Akomodimi dhe shërbimi ushqimor kanë peshën më të madhe të tregtisë elektronike

Postimi mëparshëm

Cilat produkte sportive blenë më shumë shqiptarët?/ Tregu, nga importi i këpucëve deri tek veshjet për ski dhe për plazh

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.