Për të përmbushur nevojat e tregut në rritje, vendi ynë ka zgjeruar ndjeshëm kanalet e importit, siç konfirmohet nga të dhënat zyrtare për tregtinë e jashtme. Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, importet e zarzavateve në volum janë rritur me 43.5%, ndërkohë që volumi i importeve të frutave u rrit me 31.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa në vlerë, importet e zarzavateve për gjysmën e parë të vitit 2024 arritën në 2.51 mld lekë , ose 0.93 mld lekë më shumë se një vit më parë. Në vlerë nominale kjo rritje përkthehet në 59%.
Nga ana tjetër, edhe vlera e importeve të frutave paraqitet me rritje. Gjatë periudhës janar-qershor 2023 u eksportuan gjithsej 3.4 mld lekë fruta ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024 u importuan 3.9 mld lekë ose 15% më shumë. Kjo tregon një intensifikim të konsiderueshëm të importeve të frutave dhe zarzavateve duke sfiduar kështu prodhimin vendas.
Një analizë e të dhënave historike që nga fillimi i këtij viti tregon se sasia më e lartë e importit të zarzavateve u regjistrua në muajt shkurt dhe mars. Në të kundërt, importet e frutave arritën kulmin në mars të këtij viti, një periudhë kur edhe sezoni i prodhimit vendas ka nisur. Krahas importeve “Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar edhe mbi situatën e eksporteve për këto dy kapituj.
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit eksportet për frutat dhe arrat e ngrënshme arritën në 1.9 mld lekë. Ndërsa, po në të njëjtën periudhë u eksportuan 7.8 mld lekë zarzavate ose 4% më pak se në gjashtë mujorin e vitit 2023.
Por çfarë e shtyn vendin tonë drejt prodhimit të jashtëm? Përveç efektit të emigracionit në zonat rurale dhe mungesës së fuqisë punëtore, edhe turizmi po nxit rritjen e kërkesës për produkte ushqimore, duke orientuar vendin tonë drejt tregut të jashtëm për të përmbushur kështu kërkesen e shtuar konsumatore.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments