Financë

2022-shi, vit rekord edhe për investimet e huaja/ 1.4 mld euro në një vit, 32% më shumë se 2021-shi. “Anonimet” në vend të parë, me 35% të totalit

0

Banka e Shqipërisë ka përditësuar shifrat e Investimeve të Huaja Direkte në vendin tonë për tremujorin e katërt të vitit. “Scan Intel” ka analizuar këto të dhëna, nga ku rezulton se për këtë periudhë kohore, flukset e investimeve të huaja në vendin tonë kanë prekur një rekord të ri historik, prej 388 milionë eurosh në tre muaj. Që nga viti 2014, kur fillojnë edhe të dhënat historike, ky është niveli më i lartë i regjistruar përgjatë një tremujori.

Nëse e shohim në kuadër të një viti të plotë, në Shqipëri janë investuar në formën e IHD-ve rreth 1.37 miliardë euro, rreth 336 milionë euro ose 32% më shumë krahasuar me vitin 2021. Në tre tremujorët e fundit të vitit 2022 janë shënuar nivelet më të larta të investimeve të huaja, me mbi 300 milionë euro, krahasuar me tremujorët që nga viti 2014, dhe paraqesin një trend rritës.

Këto shifra kanë bërë që stoku i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte në vendin tonë të ngjitet në 11.34 miliardë euro, nga rreth 10.9 miliardë euro që ishte në tremujorin paraardhës, duke regjistruar sërish një rekord. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, stoku i përgjithshëm është rritur me 19%, e shprehur në vlerë absolute me rreth 1.8 miliardë euro.

Ndërkohë, nëse shohim shifrat e tremujorit të katërt të vitit, sa i përket investimeve të huaja sipas shteteve, vëmë re se, ashtu si tremujorët pararendës, në vend të parë qëndrojnë ato “anonime”. Investimet e huaja nga vendet e klasifikuara si “të tjera për arsye konfidencialiteti” fiksohen në 93 milionë euro, dhe ndiqen nga Holanda me 71 milionë euro. Renditur në vendin e tretë është Turqia për të dytin tre mujor rradhazi, me 60 milionë euro investime në vendin tonë në tremujorin e katërt të vitit. Rikujtojmë këtu, që në tremujorin e parë të vitit 2015 sillte 54.5 milione euro investime, Turqia theu këtë rekord gjatë tremujorit të kaluar dhe mesa duket investimet kanë vijuar të rriten duke shënuar një tjetër rekord gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022. Pas Turqisë ndjek Italia me 37.7 milionë euro, Austria me 27.4 milionë euro dhe Kosova me 17.25 milionë euro.

Megjithatë nëse i analizojmë shifrat përgjatë gjithë vitit 2022, shohim që dy vendet e para mbeten njësoj, në vend të tretë gjendet Italia duke zhvendosur Turqinë nga pesë vendet e para, dhe ndiqet nga Gjermania e cila nuk bente pjesë në pesë vendet e para nga shifrat e tremujorit të katërt.

Pra, shifrat tregojnë se viti 2022, dhe sidomos tremujori i fundit i tij kanë regjistruar nivele rekord investimesh të huaja, të shoqeruara nga një trend rritës. Gjithashtu, investimet me origjinë konfidenciale konfirmohen për të disatën herë ndër më të rëndësishmet në vendin tonë, duke ngritur mjaft pikëpyetje në lidhje me origjinën e tyre.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

BSH “vulos” vitin rekord të turizmit/ 2.8 miliardë euro shpenzuan turistët në Shqipëri gjatë 2022-shit, si kurrë më parë

Postimi mëparshëm

1 në 10 shqiptarë, s`ka mundësi për kujdes mjekësor/ Norma e dytë më e lartë në Europë e personave që nuk plotësojnë nevojat për ekzaminim

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.